Sot (1 mars), shënohet ‘Dita e Diskriminimit Zero, themeluar nga Kombet e Bashkuara, e që ka për synim t’i japin fund të gjitha formave të pabarazisë dhe diskriminimit.
Lajmi i mirë është se të gjithë mund të bëjnë ndryshime, mund të mos duket kështu, por një veprim në këtë drejtim, mund të krijojë një ‘efekt domino’ që transformon shoqëritë e gjithë botës në drejtësi dhe barazi.
Se të gjithë mund të bëjmë ndryshime e vërtetojnë edhe dëgjuesit e Radio KFOR-it.
Në lidhje me ditën e sotme, dëgjuesi z. Veton Gashi, tha: “Ne duhet të bindemi në atë që të gjithë njerëzit kanë të drejtë ta jetojnë jetën e tyre ashtu siç ata dëshirojnë. Ne jemi të ndryshëm, prandaj duhet ta respektojmë tjetrin, sido që të jetë.”
Ngjashëm mendon edhe dëgjuesi tjetër, z. Faton Cakolli: “Diskriminimi shkakton dhimbje dhe vuajtje për njerëz. Ajo mund të bëhet në forma të ndryshme, prandaj ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm dhe të mos e lejojmë një gjë të tillë.”
Ta jetojmë jetën me nder dhe dinjitet, duke respektuar vetën dhe të tjerët pavarësisht pamjes, racës, vendit dhe besimit.