Janarin e 2023-ës, po e përmbyllim me një javë që na ka dhuruar shumë të reja teknologjike. Përmbledhjen po e fillojmë me të rejat nga kompania Samsung, e cila na ka befasuar me risitë që po sjell, në telefonat e rinj. Këta telefona do të kenë një ekran të ri prototip, që mund të dërgojë telefonat e tyre të palosshëm në një “nivel tjetër”. Ekrani “Flex In & Out” mund të rrotullohet 360 shkallë, që do të thotë se “mund të paloset brenda dhe jashtë’ dhe nëse këtë e realizon vërtetë, bëhet kompania e parë që ka një telefon me ekran që rrotullohet 360 shkallë.
Edhe kompania tjetër Microsoft, është pjesë e të rejave javore. Në një njoftim zyrtar, kompania njoftoi se 31 janari i këtij viti (2023), do të jetë dita e fundit që ‘Windows 10’, ofrohet për shitje. Megjithatë ‘Windows 10’, do të mbetet i mbështetur me përditësime sigurie që do të ndihmojë në mbrojtjen e kompjuterit tuaj nga viruset, deri më 14 tetor 2025.
Gjigandi tjetër Amazon, ka qëllime të zgjerimit të mëtutjeshëm, tani edhe të ‘Amazon Air’. Kompania në fjalë, javën që po e lëmë pas, lansoi një shërbim të dedikuar të dërgesave ajrore në Indi. Ajo ka investuar në transportuesin indian të mallrave ‘Quikjet’, për të transportuar paketa për Amazon nëpër katër qytete të mëdha indiane dhe përmes kësaj lëvizjeje, Amazon synon që të dorëzojë shumicën e dërgesave brenda dy ditësh ose edhe më pak.
Teknologjia këtë javë, na solli edhe të reja nga robotika. Bota tashmë ka edhe robotin që është punëtor ndërtimi. Kompania “Boston Dynamics”, ka publikuar së fundmi një video-klip me pamje të robotit me dy këmbë, i cili vepron si një punëtor ndërtimi. Ai vrapon, kërcen, madje edhe mund të lëvizë objekte, duke e bërë atë një ndihmës ideal në kantieret e ndërtimit. Roboti i quajtur “Atlas”, mund të vendosë objekte mbi skele, të mbajë një çantë me mjete, ndërsa kryen edhe kërcime mbi skele.