Përmbledhjen javore e nisim me më të rejat që na vijnë për telefonin e ri One Plus 11. I njohur më parë si 11 Pro, tani One Plus 11, pritet të jetë në dispozicion me ngjyrat, e zezë-mat dhe e gjelbër me shkëlqim dhe i njëjti do të vijë me Snapdragon 8 Gen 2. One Plus 11, do të ketë 16 GB RAM dhe 256 GB hapësirë ruajtëse si dhe bëhet e ditur se do të ketë një skaner të gjurmëve të gishtërinjve në pjesën e poshtme për verifikim biometrik.
Pjesë të përmbledhjes javore, e kemi edhe Komisionin Evropian i cili përditësoi vendimin zbatues për spektrin e komunikimeve në bord të avionëve, duke përcaktuar frekuenca të caktuara për teknologjinë 5G gjatë fluturimit. Kështu telefonat mobilë me 5G, do të mund të përdoren në bordin e avionëve evropianë.
Kompania amë e Facebook, Meta, as këtë javë nuk gjeti qetësi. Kompania është goditur me rreth 265 milionë euro gjobë, sepse kishte dështuar të parandalonte grumbullimin e numrave të telefonit dhe të dhënave të tjera të miliona përdoruesve. Kjo njëherit është gjoba e dytë e lëshuar nga Autoriteti Irlandez për Mbrojtjen e të Dhënave, pas një gjobe 405 milionë euro, në muajin shtator të këtij viti.







