Kur jemi afër sezonës dimërore, kërkohet vëmendje e shtuar për të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion, ngase kushtet klimatike bëjnë që edhe rrugët në shumë raste të mos jenë në gjendjen optimale, prandaj vozitja me kujdes të shtuar është e domosdoshme.
Në komunikacion, shkaktarë të aksidenteve janë shpejtësia dhe përdorimi i telefonit mobil, prandaj Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, z. Daut Hoxha, përmes Radio KFOR-it, apeloi për kujdes të shtuar: “Shoferët të mos i përdorin telefonat mobil gjatë drejtimit të automjetit, shmangni tejkalimet e rrezikshme, respektoni shenjat e trafikut rrugor, ndërsa kur jeni të lodhur bëni pushim dhe përshtateni lëvizjen e automjetit, sipas kushteve të rrugës, në mënyrë që ju dhe pjesëmarrësit e tjerë në trafikun rrugor të jeni të sigurt.”
Sipas raportit policor, gjatë 24 orëve të fundit kanë ndodhur 39 aksidente trafiku me dëme materiale, 18 aksidente me të lënduar, e për fat të mirë në këtë periudhë nuk ka pasur aksidente trafiku me fatalitet.