Të merresh me sport, përveç dashurisë dhe hobit, është diçka e domosdoshme dhe thelbësore për shëndetin e njeriut. Në rastin e fëmijëve, kjo dashuri për sportin duhet që të kultivohet qysh në moshat e hershme, e këtë mision është duke e kultivuar pa dyshim Klubi i Futbollit të Vajzave ‘Prishtina’, i cili është shumetnik dhe i pari i krijuar në Kosovë. Prandaj, në kuadër të kampanjës dedikuar sportit, ekipi i Radio KFOR-it kishte nderin ti ftojë në studio, themeluesen e këtij klubi, znj. Armenda Filipaj si dhe futbollisten e re, znj. Erina Bytyqi.
Znj. Filipaj, përveç që merret me sport, ajo tregoi se prej vitit 2012, punon edhe për ‘UN Women’, duke u fokusuar në fuqizimin e grave e sidomos të vajzave të reja. Ajo tregoi se falë punës, tani për herë të parë në Kosovë, vajzat e të gjitha komuniteteve mund të stërviten, të kenë ndërresat dhe transportin, të gjitha pa pagesë: “Së pari kemi filluar stërvitjet në futboll me të gjitha gjeneratat. Në ndërkohë, e kemi parë të arsyeshme që të ndahen gjeneratat dhe vajza më e vogël që e kemi në klub, është 5 vjeçe. Futbolli i bashkon vajzat, pa marrë parasysh nga vijnë ato dhe kemi filluar fillimisht me ekipin e Graqanicës, i cili e ka pasur një grup, mirëpo jo të strukturuar mirë, nuk kanë pasur as ndërresa, kanë funksionuar në baza vullnetare. Ishte ‘UN Kosovo Team‘, donatori ynë i parë i cili na ka financuar me ndërresat e para, e që atëherë, të gjitha këto klube që i themelojmë i kanë ndërresat nga ‘UN Kosovo Team’. Vlen të përmendim që Shtërpca, vazhdon të ketë njërin ndër ekipet më të mira, meqë ka diku rreth 45 vajza të regjistruara në këtë klub. Mandej e kemi ristrukturuar ekipin e Graqanicës, ku i kemi mbuluar shpenzimet operative. Pastaj, është ekipi i Dragashit, nga komuniteti goran. Atje për herë të parë është themeluar një ekip i futbollit të vajzave. Mund të them se sa më shumë vajza që kemi në sport, aq më shumë do të kemi nëna të ardhshme të shëndetshme dhe aq më shumë vajza, gra dhe rini të shëndetshme.”
Me dashuri për sportin, e konkretisht për futbollin, fliste edhe 14 vjeçja, znj Erina Bytyqi, e cila tregoi se me sport merret që nga mosha 5 vjeçe dhe se ky është sporti që ajo e pëlqen shumë. Futbollerja Bytyqi, pati edhe një mesazh për të gjitha vajzat në Kosovë: “Futbolli është sport shumë i rëndësishëm që na jep përfitime të shumta, si në aspektin profesional, ashtu edhe në aspektin social, duke u nisur nga fakti që futbolli është sport që luhet në grup dhe se puna në grup, krijon një mendim kritik, na zhvillon aftësitë e komunikimit dhe na jep vlera të një individi të shëndosh, zhvillon mirëqenien, bashkëpunimin, socializimin dhe shumë përfitime të tjera. E meqë kemi kaq shumë përfitime, nuk ka as një arsye pse ne mos me u marrë me futboll apo me ndonjë sport tjetër.”