Mbi 50 vite karrierë, Profesor Universitar, ekspozita të panumërta në vend, rajon dhe në gjithë botën, z. Hajrush Fazliu është nderuar dhe është vlerësuar edhe nga Komuniteti Artistik me seli në Romë, me titullin ‘Ambasador i Paqes’.
Prandaj, ishte kënaqësi dhe privilegj për ekipin e Radio KFOR-it, që kampanjën e artit #RadioK4visualartcampaign , ta përmbyll me artistin, profesorin dhe piktorin e mirëfilltë të ngjyrave, z. Fazliu, i cili ishte i ftuar në emision tek moderatorja/gazetarja, znj Vjosa Spahiu Gola.
Përgjatë emisionit, piktori tregoi se vetëm përgjatë 30 viteve të fundit, ka krijuar mbi 400 piktura, të cilat ndahen në disa cikle, ku kryesisht kanë të bëjnë me ciklin e portreteve dhe peizazheve, gjegjësisht ato nudo, pastaj tema të lira, siç janë imazhi i vezës, imazhi oval, mbijetesa, portat, kullat, portretet, etj., kështu shpjegoi për dëgjuesit e Radio KFOR-it, z. Fazliu dhe më tej shtoi: “Unë i përkas një stili ekspresiv, por asnjëherë duke mos e anashkaluar edhe botën impresive, sepse për të gjetur një ide, një motiv apo për të pasur një vepër me një cilësi artistike, ka edhe disa rregulla që duhet të respektohen. Bota ime kryesisht ndërtohet me ngjyra, sepse ngjyra për mua ka shumë domethënie, por pa harruar asnjëherë përmbajtjen. Për të rinjtë mesazhi im do të ishte që të lexojnë, punojnë më shumë, se vetëm në këtë mënyrë mund të prosperojmë në vendin tonë dhe më gjerë.”
Pikturat e trendit bashkëkohor, të z. Hajrush Fazliu, mund t’i shihni nga afër në dy ekspozita, njëra në muajin nëntor, në Bukuresht të Rumanisë ndërsa tjetra me datën 8 dhjetor, në Galerinë e qytetit të Gjilanit. Në fund të intervistës, studio e Radio KFOR-it u zbukurua edhe më shumë, nga piktura shumëngjyrëshe, të cilën e solli dhuratë, artisti i mirëfilltë i brushës, piktori z. Hajrush Fazliu, të cilën e pranoi menaxherja e Radio KFOR-it, znj. Emina Hyseni Shala.