25 tetori i çdo viti, shërben të na rikujtojë vlerën e madhe që ka arti për gjithë shoqërinë, për të komunikuar ide dhe mendime por që mund të përdoret edhe si mjet për vetë-shprehje, si formë terapie apo edhe si mjet për të gjetur bukurinë në jetë. Sot, në ‘Ditën Botërore të Artistit’, nderohen artistët dhe kontributi i tyre, në datën e lindjes së artistit të famshëm, Pablo Picasso.
Edhe në vendin tonë, dita e sotme ka një rëndësi të madhe, me që arti është i zhvilluar mjaft mirë në pothuajse çdo fushë dhe për të shënuar rëndësinë e kësaj dite, Radio KFOR-i bisedoi me piktoren e njohur, znj. Nida Shufta, pronare e ateliesë ‘Reverie Art’: “Një pikturë është një histori e përshkruar me ngjyrë, e tregon saktë emocionin përmes toneve të ngjyrave të cilat janë prezente në secilën vepër të artistit, për një arsye të veçantë. Kohëve të fundit e kam shijuar shumë punën me piktura abstrakte, ky lloj i artit e lejon njeriun të shoh me imagjinatë atë që sytë mund të mos e perceptojnë si reale dhe prandaj e bëj me pasion. Me një vepër arti mund të japësh mesazhe të shumta tek njerëz të ndryshëm.”
‘Dita Ndërkombëtare e Artistit’, shënohet që nga viti 2004, kur edhe u iniciua nga artisti kanadez, Chris MacClure. Bukuria e artit ka fuqinë t’i bashkojë njerëzit dhe t’u japë atyre një ndjenjë paqeje.