Rreth 17 milionë tonë pasta, konsumohen çdo vit në botë. Pastat janë ushqimi kryesor i kuzhinës italiane, kështu që nuk është për t’u habitur që ‘Dita Botërore e Pastave’, u krijua në Itali. Ajo festohet çdo vit me datën 25 tetor, që nga viti 1995.
Termi italian “pasta” i referohet një lloj ushqimi të bërë nga një brumë pa maja, i formuar në petë ose në forma të ndryshme. Brumi i pastave zakonisht bëhet nga mielli i grurit dhe përzihet me ujë ose ndonjëherë edhe me vezë, megjithëse disa lloje të pastave mund të bëhen edhe nga mielli i orizit. Ka shumë lloje pastash, në varësi të gjatësisë dhe formës, e ndër më të njohurat përfshijnë macaroni, spageti, fetuccine, pene, linguine, lasagna, tagliatelle, vermicelli, conchiglie, farfalle, alfabeti, kaneloni, ravioli, tortelini, njoki, etj.
Ngjarjet e ‘Ditës Botërore të Pastave’, përfshijnë punëtori kulinare dhe degustime pastash si dhe seminare, konferenca dhe ngjarje të tjera profesionale për prodhuesit dhe shpërndarësit e pastave.
Sot, ‘Ditën Botërore të Pastave’, mund ta festoni duke dalë në një restorant italian dhe të shijoni një pjatë pasta ose mund të gatuani edhe vetë. Por, mos harroni të bëni një foto të pastave dhe të na e dërgoni në rrjetet sociale të Radio KFOR-it.