“Dita e Gjuhës Spanjolle”, fillimisht u festua në datën e sotme, 12 tetor, një festë kombëtare në Spanjë e njohur si “Dia de la Hispanidad” (Dita e Kolombos). Kjo datë u zgjodh si ditë feste, pasi njihet tradicionalisht si dita kur Kristofor Kolombi (Christopher Columbus) zbuloi Amerikën, duke gjurmuar fillimin e përhapjes së gjuhës dhe kulturës spanjolle si dhe ndikimin e saj afatgjatë në botën e re. Por, në vitin 2010, UNESCO vendosi që kjo ditë zyrtare të festohet më 23 prill, për të festuar shumë gjuhësinë dhe heterogjenitetin kulturor si dhe për të inkurajuar përdorimin e barabartë të të gjashtë gjuhëve të saj zyrtare të punës në të gjithë organizatën.
Se sa e rëndësishme është njohja e gjuhëve të huaja, në këtë rast njohja e gjuhës spanjolle, Radio KFOR-i kontaktoi znj. Alie Mushica, e cila flet rrjedhshëm gjuhen spanjolle që nga viti 2007: “Për mua nuk ka qenë e vështirë që ta mësoj këtë gjuhë. Fillimisht e kam mësuar nga serialet spanjolle, e pastaj e kam përsosur, duke komunikuar edhe me spanjollë në punën e përditshme që e bëj. Është një gjuhë që e pëlqej shumë dhe është shumë e lezetshme.”
Të folurit më shumë gjuhë, na bën më mendje hapur dhe na ndihmon të ndihemi më të lidhur me kulturat e tjera dhe me mrekullitë e botës.