1.500 hektarë, kjo është hapësira ku janë të mbjella mjedrat, për kultivim e së cilave kontribuojnë komunitete të ndryshme që jetojnë në Kosovë. E gjitha kjo punë e përbashkët, vjen falë kooperativës Red Gold, e cila ndodhet në Reçan të Prizrenit dhe nga e cila burojnë tonelata të mjedrës, lëngjeve, reçelit, barërave mjekësore dhe frutave të ngrira. Nismëtar i kësaj kooperative, është z. Ismet Osmani, i cili aktualisht është edhe drejtor i Kooperativës Bujqësore, Red Gold. Radio KFOR-i ka vizituar kooperativën në fjalë, ku është takuar edhe me drejtorin, z. Ismet Osmani, nga i cili mësuam që kooperativa ka shtrirje të gjerë dhe përbëhet nga anëtarë e pronarë fermerë, që vijnë nga etni të ndryshme që jetojnë në Kosovë: “Kooperativa e Red Gold, ka gjithsej 100 anëtarë, pra 100 pronarë të kooperativës dhe çdo vit kemi 50 apo 60 bashkëpunëtorë që lidhin kontrata me ne, për të bashkëpunuar. Kooperativa ka përbërje të kombësive të ndryshme, ku 80% janë boshnjakë, 10% shqiptarë dhe 10% serbë. Ne së bashku ia dalim që të prodhojmë e mbledhim, tonelata e tonelata të frutave të pyllit dhe barërave mjekësore. Ky është suksesi ynë i përbashkët, sepse në këtë marrim pjesë të gjithë, të gjithë komunitetet boshnjake, serbe dhe shqiptare që jetojnë në këto treva. Qëllimi ynë është të dëshmojmë në këtë unitet dhe se vetëm me punë të përbashkët dhe me interesa të përbashkëta, mund të kemi sukses. Gjatë gjithë kohës, por edhe kur jemi në punë, ne kuptohemi dhe shkojmë mirë me njëri tjetrin, sepse gjuha jonë e përbashkët është puna në këtë projekt.”
Z. Osmani gjithashtu na tregoi se gjatë sezonës së mbledhjes së mjedrës, angazhohen edhe 700 punëtorë të tjerë, jashtë anëtarëve dhe pronarëve të kooperativës.Pjesë e kooperativës është edhe z. Arnel Alija nga komuniteti shqiptar. Në një intervistë për Radio KFOR-in, z. Alija tha: “Kultivimin e mjedrës e kam filluar në vitin 2014 dhe që atëherë jemi aktiv në Kooperativën e Red Gold. Aktualisht kam një sipërfaqe prej 70 ari dhe kjo tashmë është kthyer në një aktivitet familjar, pasi të gjithë anëtarët e familjes sime janë aktivë në të. Z. Ismet Osmanin e kam njohur qysh herët dhe që në fillim kam qenë i sigurt se kjo përpjekje multietnike është e destinuar të jetë e suksesshme, sepse natyra e saj multietnike është një avantazh/hap i madh. Përveç kësaj, z. Osmani, na ka ndihmuar shumë si në lidhje me ekspertizën dhe njohuritë e tij nga fusha e kultivimit të mjedrës, plehrave dhe veçanërisht në gjetjen e tregut për produktet tona. Unë do t’i bëj thirrje të gjithë fermerëve që të mos hezitojnë të investojnë dhe t’u bashkohen nismave të tilla, sepse të jesh pjesë e kësaj kooperativë është një avantazh i madh. Pra, me punë të palodhur dhe organizim të mirë ka një potencial të madh për të gjitha aktivitetet dhe produktet bujqësore.”
Siç na kanë njoftuar nga Kooperativa bujqësore Red Gold, rreth 90% e mjedrave të mbledhura shkon për eksport. Zakonisht mjedra eksportohet dhe në tregjet e jashtme si në Gjermani, Zvicër, Austri, Turqi, e të tjera. Pronarët dhe anëtarët e Kooperativës Red Gold, u janë falënderues shumë donatorëve që u kanë ndihmuar ndër vite, e njëra ndër to është edhe Caritas Kosova.