Më 11 dhjetor, të vitit 2014, Kombet e Bashkuara shpallën datën 21 Qershor, ‘Ditë Ndërkombëtare të Jogës’. Kremtimi i kësaj dite, shërben për të edukuar popullatën në lidhje me përfitimet e praktikimit të jogës.
Për të shënuar këtë ditë, Radio KFOR-i ka kontaktuar instruktoren e jogës, znj. Besarta Hamiti, e cila tregoi për përparësitë e praktikimit të jogës: “Praktikimi i jogës, sjell përfitime në shëndetin mendor, fizik dhe shpirtëror. Qëllimi i jogës është që të krijoj unitet ndërmjet trupit, shpirtit dhe mendjes. Joga na ndihmon të krijojmë fleksibilitet, balancon hormonet, rregullon qarkullimin e gjakut, përmirëson frymëmarrjen, menaxhon stresin dhe cilësinë e gjumit, rrit imunitetin dhe ka edhe shumë përfitime të tjera. Joga në vitet e fundit ka filluar të praktikohet edhe më shumë në Kosovë dhe ka një interesim më të madh, mirëpo ka interesim të madh edhe të atyre që dëshirojnë të jenë profesionist të jogës. Besoj që në të ardhmen veçse ka me u shtua interesimi dhe praktikimi më i madh për joga.”
Instruktorja e jogës, znj. Hamiti, pati edhe një porosi për të gjithë që të merren me ndonjë sport apo të praktikojnë jogën dhe shtoi: “Jeta juaj do të ndryshoj për të mirë, kushtoni kujdes shëndetit tuaj, kushtoni vetës më shumë kohë, duajeni trupin tuaj, duajeni veten, pranoni veten tuaj ashtu siç jeni, jepni sa më shumë dashuri dhe sa më shumë pozitivitet. Krijoni një stil të jetës në të cilin jeni versioni më i mirë i vetes.”