Inxhinieria është fushë e gjerë dhe gjithëpërfshirëse, që synon plotësimin e nevojave të njerëzve, përmes aplikimit të metodave dhe teknikave të ndryshme, bazuar në shkencë, teknologji dhe inovacion. Kontributi i grave në inxhinieri, ka histori të gjatë sa vetë fusha. Prandaj, për të njohur kontributin e grave në inxhinieri, data e sotme, 23 qershor, shënon “Ditën Ndërkombëtare të Grave në Inxhinieri”. Për shënimin e kësaj dite, Radio KFOR-i ka sjellë shembuj të grave në inxhinieri. Znj. Albiona Lalinovci, është Inxhiniere e Elektroteknikës dhe e ushtron këtë profesion në Kompaninë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS), ndërsa për Radio KFOR-in ajo tregon se si i lindi dëshira për të studiuar fushën e inxhinierisë: “Gjithmonë kam pasur afinitet për shkencat e matematikës e fizikës, kështu që e kam parë veten në këtë profesion edhe pse nuk kam pasur dikë nga familja që është në këtë fushë, kështu që unë jam e para inxhiniere e elektroteknikës në familje.”
Ndërkohë, Sidorela Dodaj, Inxhiniere e Elektros dhe Udhëheqëse e Sektorit të Planifikimit në KEDS, tha se dëshira për të dhënë kontributin e saj në këtë fushë, i ka lindur qysh në fëmijëri: “Zgjedhja e profesionit tim, ka filluar qysh në fëmijëri, pra në shkollën fillore ku kam treguar interesim dhe kureshtje për lëndët matematikë e fizikë. Duke pasur dëshirën për këto lëndë, kuptova që zgjidhja e problemeve në këto lëndë, është pikërisht ajo që dua të bëjë në të ardhmen. Pra, dua të kem një profesion ku mund të jap kontributin tim në zgjidhjen e problemeve në ndryshme, në krijimin e alternativave të reja, dhënien e ideve…dhe mendoj që pikërisht inxhinieria ka qenë zgjedhja e duhur për mua.”
Në mesazhin e saj, znj. Albiona, inkurajon gratë dhe vajzat që të ndjekin ëndrrat e tyre: “Unë i inkurajoj të gjitha vajzat dhe gratë të cilat kanë dëshirë që të merren me lëmin e inxhinierisë, që sado që duket profesion sfidues apo i gjinisë mashkullore, të besojnë në vetvete dhe t’i ndjekin ëndrrat e tyre, të realizojnë qëllimet dhe aspiratat që i kanë për karrierën e tyre, sepse inxhinieria është fushë që ka vend për të gjithë, pa dallim gjinie.”
Ndërkohë, znj. Sidorela, tha se është e lumtur që është e ndarë një datë, për të njohur kontributin e grave inxhiniere dhe për të inkurajuar sa më shumë vajza e gra, që të merren me këtë profesion: “Si inxhiniere, jam e lumtur që kemi një ditë që shënojmë ne gratë inxhiniere, e pikërisht edhe mundohemi që në këtë ditë me i inkurajua edhe më shumë të gjitha gratë e vajzat, që të ndjekin ëndrrën e tyre dhe të bëhen inxhiniere. Unë shoh që shumë vajza të reja, humbin motivimin për këtë fushë, pasi qysh në moshë të re dëgjojnë që ky profesion është i gjinisë mashkullore, mirëpo është dëshmuar që edhe në këtë fushë, gratë kanë aftësi, perspektivë dhe ide, andaj, unë uroj që gjitha gratë e vajzat që e duan këtë fushë, të mos ndalen në pengesën e parë, por të vazhdojnë që të japin kontributin e tyre në fusha të inxhinierisë.”
Sivjet, 2022, po shënohet viti i 9-të me radhë i “Ditës Ndërkombëtare të Grave në Inxhinieri” dhe shifrat e qershorit të vitit 2021, tregojnë se 16,5% e inxhinierëve në botë, janë gra.