‘Dita Botërore e Ushqimit të Sigurt’, shënohet çdo vit, për të tërhequr vëmendjen dhe për të nxitur veprime që ndihmojnë në parandalimin, zbulimin dhe menaxhimin e rreziqeve që vijnë nga ushqimi. Nëse nuk është i sigurt, nuk është ushqim. Vetëm kur ushqimi është i sigurt, ai do të plotësojë nevojat ushqyese dhe do të ndihmojë të rriturit që të bëjnë një jetë aktive dhe të shëndetshme si dhe fëmijët të rriten e të zhvillohen.
Për të shënuar rëndësinë e ditës së sotme, Radio KFOR-i mori një prononcim nga nutricionistja MSc. Dafina Demolli: “Ushqimi që e kemi çdo ditë në tryezat tona, duhet të jetë i përmbushur me lëndë ushqyese si proteina, karbohidrate, yndyrë e po ashtu edhe vitamina dhe minerale për zhvillim fizik dhe mendor normal. Përveç lëndëve ushqyese që marrim, ne duhet pasur kujdes edhe në cilësinë e tij, në mënyrë që të marrim një ushqim sa më të sigurt duke u kujdesur për ruajtjen e çdo përbërësi në kushte adekuate. Normalisht për të marrë ushqimin e sigurt, duhet të shikojmë gjithmonë etiketat e tyre për afatet e skadimit dhe mënyrën e ruajtjes së tyre në kushte normale. Tani meqë kemi hyrë edhe në sezonin e verës, dihet se ruajtja e ushqimeve duhet të ketë një kujdes më të veçantë nga ndotja mikrobiologjike.”
Një në dhjetë njerëz në mbarë botën, çdo vit sëmuren nga ushqimi i kontaminuar. Janë mbi 200 sëmundje që shkaktohen nga ngrënia e ushqimit të kontaminuar me baktere, viruse, parazitë ose substanca kimike, siç janë metalet e rënda.