‘Cycle Kosovo for Children’ do të mbahet për të 8-in vit me radhë, në mbështetje të misionit të organizatës humanitare “Action for Mothers and Children”.
Këtë vit, xhiroja përreth Kosovës me biçikleta, do të filloj më 16 qershor, me të njëjtin qëllim, gjegjësisht mbledhjen e fondeve për kujdesin shëndetësor të fëmijëve në Kosovë. Paratë e mbledhura nga kjo ngjarje, do të përdoren për blerjen e pajisjeve mjekësore për të mbuluar nevojat e Klinikës së Pediatrisë në Spitalin Rajonal në Gjilan, në mënyrë që fëmijëve të kësaj komune t’u ofrohen shërbime shëndetësore më cilësore.
Radio KFOR-i kontaktoi njërin nga organizatorët e eventit, z. Arlind Demaj, i cili tregoi arsye të shumta pse duhet që të gjithë të jemi pjesë e eventit ‘Cycle Kosovo for Children’: “Përveç qëllimit të bamirësisë, pjesëmarrja në këtë event është edhe një mundësi e mirë për të vizituar Kosovën, në një formë ndryshe, sepse ngasja e biçikletës bëhet nëpër rrugë rurale të Kosovës, për të cilat shumë pak dimë dhe aq shumë ka vende për tu vizituar. Pastaj, ngasja me biçikletë ka shumë përfitime, përveç që përfiton vetë, përfiton edhe rrethi ku jeton, sepse kontribuon në ruajtjen e ambientit, e cila është një e mirë e përbashkët.”
‘Cycle Kosovo for Children’ është një mundësi e mirë për të udhëtuar së bashku me çiklistët vendas dhe ndërkombëtarë, me një ekip profesional mbështetës, ku qëllimi i vetëm është mbledhja e fondeve për kujdesin shëndetësor të fëmijëve në Kosovë, por edhe argëtimi me miq të rinj dhe krijimi i kujtimeve të përhershme.
Për tu bërë pjesë e këtij eventi apo donacioni, të interesuarit mund të vizitojnë faqen: https://www.globalgiving.org/projects/cycle-kosovo-for-children-8th-edition/donate/