E vendosur qysh nga viti 1987, 31 maji në kalendarin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), i është ndarë shënimit të “Ditës Botërore Pa Duhan”. Sivjet OBSH-ja kërkon që të rrisë vetëdijesimin për mbrojtjen e ambientit, andaj kjo ditë shënohet me temën “Duhani: Kërcënim për mjedisin tonë”. Fushata në fjalë, synon të rrisë ndërgjegjësimin e publikut mbi ndikimin mjedisor të duhanit, nga kultivimi, prodhimi, shpërndarja dhe mbetjet. Me një kontribut vjetor të gazit serrë prej 84 megatonesh, ekuivalent të dyoksidit të karbonit, industria e duhanit kontribuon në ndryshimet klimatike duke dëmtuar ekosistemet, mirëpo rritja e duhanit kontribuon edhe në shpyllëzim, pasi rreth 3.5 milionë hektarë tokë shkatërrohen çdo vit për rritjen e duhanit, njofton Organizata Botërore e Shëndetësisë. Ndryshe, mbrojtja e ambientit është një arsye më shumë për të lënë duhanin i cili konsiderohet një nga shkaktarët kryesor të vdekjeve në botë. Kur jemi tek shëndeti, po sjellim disa përfitime që i falim shëndetit tonë, nëse e lëmë duhani:
– Lënia e duhanit ka përfitime të menjëhershme dhe afatgjata shëndetësore. Vetëm 20 minuta pas lënies së duhanit, bie ritmi i rrahjes së zemrës tuaj.
– Brenda 12 orëve, niveli i monoksidit të karbonit në gjak bie në nivel normal.
– Brenda 2–12 javësh, përmirësohet qarkullimi i gjakut dhe rritet funksioni i mushkërive.
– Brenda 1-9 muajve, kollitja dhe vështirësitë në frymëmarrje zbuten.
– Brenda 5-15 viteve, rreziku i goditjes në tru, zvogëlohet po aq sa rreziku i një jo-duhanpirësi.
– Për 10 vjet, shkalla e vdekshmërisë nga kanceri i mushkërive të një duhanpirësi përgjysmohet.
– Brenda 15 viteve, rreziku nga sëmundjet e zemrës është si ai i një jo-duhanpirësi.