Sot, 29 maj, në nder të “Ditës Ndërkombëtare të Paqeruajtësve të Kombeve të Bashkuara”, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, do të vendosë një kurorë me lule për të nderuar gati 4.200 paqeruajtës të OKB-së, që kanë humbur jetën që nga viti 1948.
Sekretari i Përgjithshëm, z. Guterres, gjithashtu do të kryesojë një ceremoni, para familjarëve dhe të afërmve, të 117 paqeruajtësve ushtarakë, policorë dhe civilë, të cilët humbën jetën duke shërbyer nën flamurin e OKB-së vitin e kaluar, ku do të ndahen medalje ‘Post-Mortem’ (Pas vdekjes).
‘Dita Ndërkombëtare e Paqeruajtësve Kombeve të Bashkuara’, u themelua nga Asambleja e Përgjithshme, në vitin 2002, për të nderuar të gjithë burrat dhe gratë që shërbejnë si paqeruajtës dhe për të nderuar ata që kanë humbur jetën, në kauzën e paqes.
Tema që shënon këtë ditë, këtë vit është “Njerëzit. Paqja. Përparimi. Fuqia e bashkëpjesëmarrësve!”.