Për herë të parë, në bazën e KFOR-it, në Prishtinë, u organizua një ngjarje sportive, ku më shumë se 100 pjesëtarë të trupave të KFOR-it, u bënë pjesë e sfidave të ndryshme sportive, në nder të togerit Michael P. Murphy,i cili u flijua në luftën në Afganistan.
Hapjen solemne të kësaj ngjarjeje e bëri Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajori Ferenc KAJÁRI, i cili mes tjerash nënvizoi: “Është kënaqësi e madhe të organizojmë këtë aktivitet me përkrahjen e shumë pjesëtareve të trupave tanë, dhe kjo tregon që kemi një ekip të mrekullueshëm dhe unë jam shumë i lumtur që jam pjesë e tij. E di që nuk do ta keni fare problem të bëheni pjesë e sfidës së sotme sportive. Mbajeni në mend, dhimbja është e përkohshme, lavdia është e përhershme” tha gjeneralmajori Ferenc KAJÁRI.
Orgazatori i kësaj ngjarjeje, Komandant Rreshter Majori, Tamás ZSIROS u shpreh i entuziazmuar për realizimin e këtij aktiviteti, duke premtuar që tani e tutje do të bëjë çmos, që kjo ngjarje të bëhet tradicionale: “Për nder të “Ditës Botërore të Veteranëve”, ne kujtojmë heronjtë që sakrifikuan jetët e tyre, prandaj ne po i kujtojmë veprat e çmuara të tyre, përmes aktivitetetve të ndryshme sportive, përkatësisht përmes sfidës së quajtur “Murhy”, duke kujtuar heroin tonë Lt. Michael P. Murphy”.
Në këtë ngjarje, ndër më aktivët ishte edhe Nënkoloneli, Eddie Simpson, i cili pasi kreu disa prej ushtrime sfiduese dha një prononcim për Radio KFOR-in, ku mes tjerash pohoi: “Jemi këtu për të nderuar ushtarin tonë, Michael P. Murphy me shokë, të cilët dhanë jetën e tyre për ne, dhe kjo është mënyra jonë për ti nderuar e kujtuar ata”.
Me këtë rast, intervistuam edhe dy nga pjesëtarët e trupave të KFOR-it, Michael Riske nga Polonia dhe Eszter Kekesi nga Hungaria, të cilët thanë: “Jam i entuziazmuar që jam pjesë e kësaj sfide sot, edhe për shkak të aktiviteteve të ndryshme sportive, por edhe për shkak të simbolikës që ka kjo ditë. është goxha sfiduese, por nuk paraqet ndonjë problem për ne”, tha Michael Riske.
Njësoj si ai mendon edhe Eszter Kekesi, e cila theksoi se ndjehet e emocionuar që është pjesë e kësaj ngjarjeje, duke pohuar se këtë po e bënë edhe për veten e saj.
Sfida “Murhy” përfshinë: më shumë se 1 km vrapim, 100 tërheqje, 200 Push-Ups, 300 Squats në ajër, më shumë se 1 km vrapim me një jelek 20 kg ose armaturë trupi.
Kjo stërvitje, në vetvete, ishte e preferuara e Michael Murhy, e cila në atë kohë i referohej si “Arma e trupit”, Pra, çdo vit, “CrossFitters” sinonimisht në mbarë botën i bëjnë një nder të veçantë Togerit Murphy duke u bashkuar për të kujtuar atë dhe veprat e tij.
Kujtojmë se Michael P. Murphy ishte një oficer i Marinës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili u nderua me dekoratën më të lartë të ushtrisë amerikane, “Medaljen e Nderit”, për veprimet e tij gjatë Luftës në Afganistan. Ai ishte anëtari i parë i Marinës së Shteteve të Bashkuara që mori çmimin që nga Lufta e Vietnamit. Çmimet e tjera të tij pas vdekjes përfshijnë “Medaljen e Yllit”, “Medaljen e Argjendtë” ,e cila më vonë u gradua në ‘’Medaljen e Nderit’’..