Librat konsiderohen urë lidhëse midis së shkuarës dhe së tashmes si dhe ndërmjet brezave dhe kulturave të ndryshme. Dita e sotme, 23 Prill, shënon ‘Ditën Botërore të Librit dhe të Drejtave të Autorit’ dhe synon të promovojë kënaqësinë që na e sjell leximi i librave, mirëpo në këtë ditë gjithashtu autorët festojnë edhe për arritjet e tyre.
Për të shënuar ditën e sotme, Radio KFOR-i ka zhvilluar një bisedë me shkrimtarin Azem Deliu, i cili foli për rëndësinë e madhe të të drejtave të autorëve dhe për mbrojtjen e punës së tyre: “E drejta e autorit është një nga çështjet që e mban peng zhvillimin e jetës letrare në vend. Është e rëndësisë jetike që zbatimi i ligjit për të drejtën e autorit të marrë përmasa më të gjera, sepse praktika tregon që ekzistenca e një ligji për të drejtat e autorit, nuk garanton në vetvete asgjë. Autorët, edhe ashtu janë kategori e shoqërisë që nuk ia dalin të jetojnë me punën e tyre.”
Çdo vit në botë botohen mbi 2 milion tituj librash, duke pasuruar njerëzimin me informacione të panumërta dhe mundësi për të zgjeruar vazhdimisht njohuritë tona në fusha të ndryshme.