Nëse kompania Apple i qëndron besnike kalendarit të prezantimeve, atëherë pritet që në qershor e shtator të këtij viti, të kemi orët e mençura, specifikat për të cilat tashmë po shpalosen. Produktin e Apple ‘Watch Series 8’, mund ta shohim në shtator të këtij viti. Mirëpo, përpara kësaj, më saktësisht në qershor pritet që ta shohim edhe ‘Apple watchOS 9’. Shëndeti i përdoruesve të këtyre pajisjeve do të jetë në fokus të madh për ‘Apple Watch’ dhe ‘Series 8’, të cilët mund të shtojnë një sensor temperature e nuk do te mungojë edhe një sensor për monitorimin e nivelit të sheqerit në gjak. Javën që po e lëmë pas, kompania teknologjike dhe këshilluese, IDC (International Data Corporation), ka shpalosur statistikat të cilat tregojnë se shitjet globale të kompjuterëve personalë në tre mujorin e parë të vitit 2022, kanë pësuar rënie. Sipas publikimit, në këtë periudhë janë shitur 80.5 milionë kompjuterë dhe po flasim për një shifër më të ulët prej 77.5 milionë ose 7.7% rënie, krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë. Të reja javore kemi edhe nga gjigandi Google, i cili ka njoftuar se planifikon të investojë rreth 9.5 miliardë dollarë në zyrat dhe qendrat e të dhënave në Shtetet e Bashkuara të Amerikës këtë vit dhe kjo do të krijojë të paktën 12.000 vende pune, vetëm gjatë këtij viti. Një lajm nga robotika erdhi edhe nga Universiteti Imperial College në Londër, të cilët kanë prezantuar robotët infermierë që mund të operojnë nëpër qendra spitalore. Një robot i tillë mund t’i ndihmojë pacientët të vishen me rrobat e spitalit dhe t’i vendosë në shtrat. Ky zhvillim teknologjik ende nuk është gati për përdorim, mirëpo po cilësohet si një hap i madh drejt infermierëve artificialë nëpër spitale. Megjithatë, testi i parë u bë në një kukull, ku roboti ia doli ta vishte me sukses dhe ta bënte gati për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor.