Në vitin 2011, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara (UNGA) shpalli 12 Prillin si Ditën Ndërkombëtare të Fluturimit në Hapësirë të Njeriut, për të festuar çdo vit në nivel ndërkombëtar fillimin e epokës hapësinore për njerëzimin, duke riafirmuar kontributin e rëndësishëm të shkencës dhe teknologjisë hapësinore në arritjen e qëllimeve të zhvillimit të qëndrueshëm dhe rritjen e mirëqenies së shteteve dhe popujve si dhe sigurimin e realizimit të aspiratave për të ruajtur hapësirën e jashtme për qëllime paqësore.
Data 12 prill e vitit 1961, ishte data e fluturimit të parë njerëzor në hapësirë, të kryer nga Yuri Gagarin, një qytetar sovjetik. Kjo ngjarje historike hapi rrugë për eksplorimin e hapësirës për të mirën e mbarë njerëzimit.
Asambleja e Përgjithshme e OKB-së shprehu bindjen e saj të thellë, për interesat e përbashkëta të njerëzimit, në nxitjen dhe zgjerimin e eksplorimit dhe përdorimit të hapësirës së jashtme, si hapësirë e mbarë njerëzimit, për qëllime paqësore dhe në përpjekjet e vazhdueshme për të shtrirë në të gjitha shtetet përfitimet që rrjedhin prej saj.