Pavarësisht racës, ngjyrës, gjinisë, religjionit, origjinës, prejardhjes, pasurisë apo pa-aftësisë, të gjithë fëmijët e botës duhet t’i gëzojnë të drejtat e tyre. Por, realiteti na tregon të kundërtën, meqenëse në shumë vende të botës, e posaçërisht tek ne, jemi dëshmitarë të fëmijëve të shumtë që rriten nëpër rrugë. Pikërisht sot (12 prill) shënohet ‘Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve në Rrugë’, e cila synon t’i jep zë më të theksuar miliona fëmijëve të rrugës anekënd botës, në mënyrë që të drejtat e tyre të mos shpërfillen. Në lidhje me këtë temë, Radio KFOR-i ka marrë një prononcim nga zyrtarët e ‘Koalicionit e OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF’, të cilët në raport me këtë çështje kanë këtë këndvështrim: “Fëmijët e përfshirë në punë të rënda u ekspozohen një sërë rreziqesh për jetën, shëndetin dhe formave të ndryshme të shkeljes së të drejtave të fëmijës, përfshirë: neglizhimin, abuzimin fizik dhe psikologjik, mungesën e qasjes në arsim dhe rrezikut të abuzimit seksual ose trafikimit. Sipas raportit MICS 2022, të publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës dhe UNICEF, 5% e fëmijëve janë të përfshirë në punë. Aktualisht, në Kosovë nuk ka shërbime të veçanta të ofruara nga komunat për të adresuar mbrojtjen e fëmijëve të përfshirë në punë të rënda; duke përfshirë qendrat e kujdesit ditor, ekipet mobile si dhe shërbimet e rehabilitimit dhe reintegrimit. Ligji për Mbrojtjen e Fëmijës, synon të mbrojë fëmijët nga të gjitha format e keqpërdorimit, shfrytëzimin apo format tjera që vënë në rrezik jetën, sigurinë, shëndetin, edukimin, arsimimin dhe zhvillimin e fëmijës. Sipas këtij ligji, çdo komunë duhet të punojë për të mbrojtur fëmijët nga të gjitha rreziqet, duke përfshirë edhe rreziqet e mëdha që vijnë nga puna e rëndë të fëmijëve.”
Kujtojmë që në Konventën e vitit 1989 për të drejtat e fëmijëve, të drejtat e tyre përfshijnë të drejtën e tyre për t’u bashkuar me të dy prindërit, identitetin njerëzor si dhe nevojat themelore për mbrojtje fizike, ushqim, arsim universal të paguar nga vendi, kujdes shëndetësor dhe ligje penale të përshtatshme për moshën dhe zhvillimin e fëmijës, mbrojtje e barabartë e të drejtave civile të fëmijës dhe liria nga diskriminimi në bazë të racës së fëmijës, gjinisë, orientimit seksual, identitetit gjinor, origjinës kombëtare, fesë, paaftësisë, ngjyrës, përkatësisë etnike ose karakteristikave të tjera.