Kur mediumet bëhen bashkë, realizohen misione shumë më të mëdha, bëhet punë shumë më e madhe dhe përfaqësimi është edhe më i madh. Në kuadër të kampanjës së Radio K4 “Bashkëpunimi Medial”, në studion e Radio KFOR-it sot, kemi mirëpritur dy mysafire speciale, fytyrat e të cilave pashmangshëm kujtojnë televizionin. Është fjala për prezantueset e Radio Televizionit të Kosovës, Fitore Rexhepi dhe Fëllënza Çitaku, të cilat nga moderimi në televizion, kumbuan me zërin e tyre të ëmbël në studion e Radio K4, duke sjellë argëtim tek dëgjuesit dhe duke shpalosur bagazhin profesional që ato e kanë në media. Sfidat, momentet interesante dhe rrugëtimi i tyre profesional, ishin vetëm disa nga temat për të cilat dëgjuesit patën rastin që të informohen, mirëpo aty u vu në pah edhe bashkëpunimi i ngushtë që Radio KFOR-i ka me Radio Televizionin e Kosovës.
“Ne në RTK kemi disa redaksi, ato: serbe, boshnjake, turke dhe rome. Ne, të gjithë i kemi kolegë dhe të gjithë bashkëpunojmë me njëri tjetrin dhe roli ynë është rol edukues, me i eduku gjeneratat e ardhshme, për me e pranu tjetrin pa dallim religjioni, etnie, i vendit nga vjen apo mënyrës se si tjetri jeton. Këtë mision fisnik e kanë bartë edhe prindërit tek ne, mirëpo ne sot jemi gjeneratat me rol vendimtar, që fëmijët tanë me i mësu me i pranu të tjerët pa dallim”, tha Fitore Rexhepi.
Edhe Fëllënza Çitaku, përmes frekuencave të Radio KFOR-it përçoi mesazh tek të gjithë të rinjtë, që ta duan njëri-tjetrin pa dallim: “Rinia duhet që ta duan njëri-tjetrin. Kemi parë kohëve të fundit situata të pakëndshme, përleshje, ngacmime e bullizëm, prandaj të rinjve u them të orientohen më shumë tek më e mira. Të rinjtë nuk duhet të kenë paragjykime e as dallime, u them që të mundohen ta gjejnë pozitivitetin edhe në gjërat më të thjeshta, të kënaqen dhe të gëzohen me gjërat që i kanë.”
“Punoni shumë dhe ëndërroni shumë”, ishte ky mesazhi kryesor i të dyja mysafireve, znj. Çitaku dhe znj. Rexhepi, të cilat potencuan se gratë duhet t’i përkrahin gratë dhe të dyja përmes frekuencave të Radio KFOR-it përçuan mesazhe për rëndësinë dhe fuqizimin e grave, mbështetjen e njëra-tjetrës dhe për duartrokitjet e sukseseve të njëra-tjetrës.