Qeveria e Kosovës pas mbledhjes së fundit, ka miratuar vendimin për masat e reja për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19. Me marrjen e masave të reja, është larguar ora policore dhe shërbimet e gastronomisë lejohen të zhvillojnë aktivitetin e tyre, por shfrytëzimi i hapësirave të mbyllura lejohet deri në 50% të kapacitetit. Çdo person i cili hyn në Kosovë, duhet të posedojë një nga dëshmitë e mëposhtme:
Certifikatën e vaksinimit për vaksinimin e plotë me dy doza ose me një dozë të vaksinës Janssen (Johnson & Johnson), që nuk ka kaluar më shumë se 12 muaj nga marrja e dozës së fundit;
Certifikatën e vaksinimit me një dozë e shoqëruar me testin RT-PCR negativ për COVID-19, jo më i vjetër se 48 orë;
Prej datës 7 mars të vitit 2022, lejohet veprimtaria e klubeve të natës si dhe organizimi i festivaleve, koncerteve, ekskursioneve, pelegrinazheve, dasmave, fejesave, ahengjeve familjare dhe shoqërore deri në 50% të kapaciteteve, në të gjithë Kosovën.
Vendimi për masat kundër COVID-19, është bazuar në vlerësimin e situatës së intensitetit të përhapjes së Covid-19 në vend.
Listën e plotë me të gjitha masat e miratuara mund ta gjeni në faqen zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë së Kosovës.