“Aty ku fjalët nuk dëgjohen, flet muzika”, kjo është vetëm një nga mijëra thëniet që përkufizojnë atë që njihet edhe si gjuha universale- muzika. E veç një melodie që sjell motivim e disponim, muzika njeh edhe anën shëruese përmes terapisë muzikore. Prandaj, dita e sotme, 1 Marsi, i është ndarë shënimit të “Ditës Botërore të Terapisë Muzikore”. Terapia muzikore është provuar të jetë një mënyrë efektive e të shëruarit, e këtë e ka dëshmuar edhe kompozitori, muzikanti dhe biologu i qelizave nga Italia, artisti Emiliano Toso, i cili është krijues i projektit ‘Translational Music ’. Në një intervistë ekskluzive për Radio KFOR-in, z. Toso, ka shpjeguar lidhshmërinë që ka biologjia me muzikën: “Fakti që unë e lidhi muzikën dhe biologjinë së bashku, është sepse këto janë dy pasionet e mia. Pasioni i mendjes së biologjisë, mënyra analitike për ta parë trupin dhe për ta kuptuar secilën prej 50 trilionë qelizave të ndjenjave dhe 50 trilionë banorëve në trupin tonë. Kjo është pjesa ime prej shkencëtari dhe duhet të jesh analizues dhe ta shikosh secilën pjesë të vogël se si funksionon gjithçka në trupin tonë. Pastaj, pasioni i dytë është muzika. Muzika sjell zhvendosjen, dashurinë dhe ndjenjat në ato qeliza. Dhe lloji i muzikës që krijoj unë, është shumë i rëndësishëm për ta ulur stresin, dhimbjen, shton kreativitetin dhe e njëjta po aplikohet nëpër shkolla dhe në spitale. Kështu që fillova të mendoj se muzika ime nuk ishte aq e dobishme vetëm për mua, por edhe për njerëzit, prandaj nisa ta krijoj këtë lloj muzikë, që konsiderohet edhe terapi shumëdimensionale.”
‘Translational Music’ është projekt i shkrirjes së shkencës dhe muzikës e krijuar nga z. Emiliano Toso. Nga ana tjetër, hulumtimet vërtetojnë se terapia muzikore është efektive për të shprehur ndjenjat dhe na ofron mënyra të shumta komunikimi përmes gjuhës universale-muzikore.