Edhe këtë vit po vazhdon fushata e kamotshme e kartolinave në SOS Fshatrat e Kosovës, një iniciativë që synon të mbledhë mjete financiare, për fëmijët pa përkujdesje prindërore në vendin tonë.
Si funksion kjo iniciativë, ku mund të blihen këto kartolina dhe për më shumë detaje të tjera rreth kësaj fushate, për Radio KFOR-in na informoi znj. Albana Zogu, nga SOS Fshatrat e Kosovës: “Kartolinat kushtojnë 0.80€, janë të shtypura dhe vijnë me motive të ndryshme. Për herë të parë, ne si SOS, i kemi kartolinat e Prishtinës të cilat vijnë si punë e realizuar nga fotografi, z. Arben Llapashtica, ndërsa kartolinat tjera janë të dizajnuara nga z. Dea Nikci, e cila këtë punë e bën falas për 5 vite me radhë. Përmes shitjeve të këtyre kartolinave, synojmë të mbledhim sa më shumë fonde për fëmijët pa përkujdesje prindërore dhe fëmijët në rrezik.”
Kartolinat mund të porositen online, në email adresën info@soskosova.org dhe përmes faqes zyrtare të SOS Fshatrave të Kosovës ose mund të vizitoni Gift Shop-in, ku përveç kartolinave, të interesuarit mund të blejnë edhe shumë punë-dore të tjera, të realizuara nga nënat që janë pjesë e programit të fuqizimit të familjes dhe aktiviteteve të fëmijëve.
Ky ‘Gift Shop’, gjendet në SOS Fshatin, në Velani dhe punon nga ora 08:00 deri në orën 16:00.