Policia e Kosovës, si një nga institucionet kryesore për sigurinë e qytetarëve, vazhdimisht apelon që të keni kujdes të shtuar në komunikacion gjatë stinës së dimrit. Radio KFOR-i kontaktoi me Policinë e Kosovës, të cilët kanë ndarë disa këshilla dhe rregulla që duhet të respektojnë të gjithë pjesëmarrësit në trafik, gjatë sezonit të dimrit: “Asnjëherë nuk mund ta dimë se ku do të hasim në mot të lig apo rrugë të bllokuara! Në qoftë se jeni në automjet apo në ndonjë mjet tjetër, siguria fillon dhe mbaron me juve. Mbani në vëzhgim rrugën për ndryshime të papritura të dukshmërisë, mjegulla më e dendur mund të jetë më afër lumenjve. Përdorni dritat e mjegullës, sepse mjegulla mund të krijojë një iluzion optik dhe t’i bëjë shoferët të mendojnë se po vozisin ngadalë. Ndizni dritat gjatë ngasjes, por mos ndizni dritat me rreze të gjata. Të gjitha dritaret dhe pasqyrat duhet të jenë plotësisht të pastruara për të përmirësuar dukshmërinë, por mos harroni të pastroni kapakun mbi motor, kulmin dhe kapakun tek bagazhi i automjetit. Sigurohuni që gomat e automjetit të jenë të parapara për ngasje gjatë dimrit, gjithashtu presioni i ajrit të tyre duhet të jetë sipas rekomandimeve të prodhuesit, gjatë kohës së ftohët. Lëngjet në sistemin e ftohjes kundër ngrirjes. Kontrolloni dhe mbushni ftohësin, sigurohuni që ftohësi juaj të jetë mbushur si dhe duhet të kontrolloni radiatorin për rrjedhje.”
Po ashtu, nga Policia e Kosovës mësuam se nga muaji janar deri në tetor të këtij viti, kanë ndodhur 86 aksidente fatale, 6.259 aksidente me lëndime dhe 11.172 aksidente me dëme.