Për shkak të gjendjes gjithnjë e më të renduar, si pasojë e Virusit Covid-19, ku numri i të infektuarve dhe të vdekurve po rritet çdo ditë, Qeveria e Kosovës mori masa të reja shtrënguese për të frenuar përhapjen.Prej sot (30 gusht) kthehet ora policore për të gjithë qytetarët, që fillon prej orës 22:00 deri në ora 05:00, maska është e detyrueshme, përveç në tri raste: gjatë ngasjes së automjetit vetëm, apo kur në automjet janë prezentë ekskluzivisht anëtarët e ngushtë të familjes; gjatë vrapimit, çiklizmit dhe ushtrimeve fizike dhe gjatë ngrënies apo pijes.
Bibliotekat, kinematë, qendrat rinore, muzetë, qendrat e kulturës me grupe apo institucionet tjera të ngjashme vartëse të MKRS-së apo të Komunave, pezullojnë aktivitetin e tyre deri më 13 shtator 2021.
Teatrot, orkestrat, ansamblet, baleti lejohet të organizojnë shfaqje online si dhe të mbajnë ushtrime, por në dy rastet pa prezencë të publikut.
Me masat e reja, ndalohet hyrja në mjetet e transportit publik pa maskë. Operatorët e transportit rrugor të udhëtarëve lejohen të punojnë duke shfrytëzuar 50% të kapacitetit të ulëseve, ndërsa në taksi lejohen të udhëtojnë deri në dy udhëtarë. Gjithashtu, ndalohen shërbimet në gastronomi në hapësirat e mbyllura, me ç ‘rast qëndrimi i klientëve (shërbimi i ushqimit dhe pijeve) lejohet vetëm në hapësirat e hapura të lokaleve të gastronomisë, duke u shfrytëzuar jo më shumë se 70 për qindëshi i kapacitetit të hapësirës së hapur.