Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHPK), gjatë 24 orëve të fundit, janë regjistruar 14 raste të reja, me virusin COVID-19 dhe është raportuar 1 rast i vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv.
Se duhet të kemi kujdes edhe më tutje dhe të respektojmë masat anti-kovid, e tha për Radio KFOR-in edhe pulmologu, Dr. Arbër Ismaili: “Gjendja e përgjithshme është e qetë, numri i të infektuarve është zvogëluar dukshëm, por prapë duhet të vazhdohet të respektohen masat anti-kovid. Tash duhet të kemi parasysh edhe procesin e vaksinimit. Të gjithë ata që nuk kanë probleme shëndetësore duhet të vaksinohen, kurse ata që kanë probleme, së pari duhet të konsultohen me pulmologun, e pastaj t’i nënshtrohen vaksinimit.”
Bazuar në raportin e IKSHPK-së, deri më tani, numri total i rasteve pozitive është 107.258 raste, nga 593.728 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 2.240 raste të vdekjes.