Shkolla e filmit ‘Future is Here’, nga DokuFest, këtë të premte, më 28 maj, do të sjellë para publikut pejan, filma të cilët janë produkt i shkollave të mesme, në të cilën marrin pjesë çdo vit rreth 15 të rinj, për të krijuar filma origjinalë me tema për të drejtat e njeriut, gjë që krijon një qasje shumëdimensionale, e që ju ofron brezave të rinj mjete për fuqizimin me anë të inkurajimit për vetë-shprehje. Duke filluar nga ora 18:00, nikoqire e programit ‘Future is Here’, do të jetë ‘Kinema Jusuf Gërvalla’, andaj për tu njohur me informacione shtesë, Radio KFOR-i ka kontaktuar Koordinatorin e Programeve dhe Menaxherin e Projekteve, Valton Marku: “DokuFest, të premten do të mbajë një aktivitet në ‘Kinemanë Jusuf Gërvalla’, të cilin e kanë titulluar “DokuFest on Tour”, që është një seri e filmave të prodhuar nga DokuFest-i, me një program 60 minuta. Kjo vjen në vazhdën e partneritetit, ku ne si kinema e kemi fatin e mirë që t’i shfaqim këta filma, në mesin e të cilëve janë edhe 2 filma të studentëve nga Peja. Kjo është një mundësi e mirë edhe për audiencën lokale që të vijnë dhe ti shohin këta filma.”
Ndryshe, shkolla e filmit ‘Future is Here’ nga DokuFest, vjen si pjesë e projektit Edukimi për Barazi, që synon luftimin e dhunës dhe diskriminimit bazuar në gjininë dhe identitetin seksual përmes edukimit filmik dhe mediatik, ku DokuFest po organizon një seri shfaqjesh të filmave të prodhuara në vitin 2020, përmes projektit Shkolla dhe Filmi Dokumentar nga nxënës të shkollave të mesme në Prishtinë, Pejë dhe Shtime. Shfaqjet janë të dedikuara për studentët dhe prindërit e tyre dhe do të pasohen nga diskutimet mes autorëve të filmave, ekspertëve tematikë dhe audiencës.