Projekti “How Do I See You?”, është një projekt tre vjeçar i financuar nga Bashkimi Evropian në Kosovë dhe i implementuar nga “DokuFest” dhe “Slobodna Zona”, me seli në Beograd.
“Qëllimi kryesor i këtij projekti, është rrëzimi i barrierave mes të rinjve të Kosovës dhe atyre të Serbisë dhe të kuptojnë që ata janë shumë më shumë të ngjashëm sesa të ndryshëm mes vete”, tha kështu për Radio KFOR-in, menaxherja e projektit, Zana Arapi-Xheladini dhe më tutje shtoi: “Përmes kampeve që do të mbahen me të rinjtë e moshave nga 18 deri në 25 vjet, për 10 ditë me radhë, ata do të mund të shkëmbejnë njohuri të artit, të kulturës si dhe të mësojnë të bëjnë krahasimin e lajmeve të vërteta si dhe atyre të pa vërteta, si në Kosovë ashtu edhe në Serbi. Kampi i parë i përbashkët do të mbahet në Beograd, në fillim të muajit korrik, me të gjithë pjesëmarrësit. Nga punëtoria e parë, i kemi 18-të dhe prej punëtorisë së dytë i kemi 17-të pjesëmarrës. Tani jemi në vitin e dytë të zbatimit të projektit dhe pandemia ka ndikuar që shumicën e aktiviteteve t’i mbajmë online.”
Punimet e të rinjve që janë bërë online do të shfaqen përgjatë “DokuFest-it” në Prizren si dhe përgjatë festivalit “Slobodna Zona”, në Beograd.”