Entuziastë, të talentuar dhe unik, në mënyrën e interpretimit të muzikës së tyre, janë këta djelmoshat e bendit më të ri në vend, Artin Shabani – Basist, Çlirim Shabani – vokalist dhe kitarist, Leutrim Shabani – Kitarist dhe Lum Veseli – Baterist dhe njëherit back vokal, të cilët u bënë bashkë dhe krijuan grupin, Redknots, në kohë pandemie, në vitin 2020.
Radio KFOR-i vazhdon të jetë medium përkrahës në promovimin e talentëve të rinj dhe me këtë rast, realizoi edhe një intervistë me anëtarët e këtij bendi, të cilët thanë: “Redknots, është bend i cili krijon dhe performon muzikë të zhanreve të ndryshme. Deri më tani kemi krijuar 3 këngë, të cilat janë realizuar në kushte shtëpie, dy janë publikuar në SoundCloud, një në Instagram bashkë me disa copëza të vogla improvizimi, ndërsa kënga e fundit gjenden edhe në Youtube. Pandemia krahas të gjitha sferave të jetës, e ka dëmtuar rënd edhe debutimin tonë në industrinë e muzikës, pasi që stili i muzikës që bëjmë, kërkon kontakt me publikun.“
Projekti më i ri i Redknots, është kënga që trajton problemet sociale dhe psikologjike me të cilat ballafaqohemi çdo ditë, me titull ‘Më jep vëmendje’, që është pjesë e albumit ‘Second floor tapes’, i cili nëse do të ketë donatorë të mjaftueshëm, do të realizohet kryesisht në gjuhën angleze.