Muaji maj, në gjithë botën shënon muajin e ndërgjegjësimit dhe rëndësisë së kujdesit të shëndetit mendor të grave para dhe pas procesit të lindjes. Rreth kësaj teme, Radio KFOR-i zhvilloi një intervistë me Specialisten e Psikologjisë Klinike dhe Psikoterapisë, Brikena Krasniqi Hoti, e cila tregoi më shumë për çrregullimet emocionale që hasin gratë gjatë ose pas lindjes dhe se shumë prej tyre nuk marrin ndihmën e duhur: “15-20 % e të gjitha grave, përjetojnë çrregullime emocionale në shtatzëni ose pas lindjes. Edhe pse është gjendje e zakonshme dhe trajtuese, shumë pak gra janë në gjendje të marrin ndihmën ose trajtimin profesional që kanë nevojë. Po ashtu, gjatë shtatzënisë ose pas lindjes, gratë gjithashtu mund të përjetojnë ankth, çrregullim obsesional kompulsiv (OCD), i cili shpesh përqendrohet në një lloj frike se diçka e keqe ose ndonjë dëm do t’i ndodhë fëmijës si dhe stresi pas traumatik (PTSD), nëse kanë pasur një lindje të vështirë ose përvojë traumatike gjatë lindjes. Fatkeqësisht, për shkak të stigmës dhe paragjykimeve në shoqërinë tonë, mbi shëndetin mendor, shumica e grave ende nuk arrijnë të marrin ndihmën apo trajtimin që kanë nevojë.”
Dita e shëndetit mendor të grave para dhe pas lindjes duhet të adresohet dhe të gjitha gratë të kenë kujdesin dhe ndihmën e duhur gjatë këtij procesi nga familja, shoqëria dhe ekspertët mjekësor.