Organizata Botërore e Shëndetësisë si dhe të gjitha institucionet e shëndetësisë në të gjithë botën po kërkojnë edhe më tutje që të kemi kujdes të shtuar ndaj ‘CoViD-19’. Në këtë ftesë nuk bën përjashtim as Kosova, ku sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, vetëm gjatë 24 orëve të fundit 5 pacientë kanë humbur jetën, kurse janë regjistruar 297 raste të reja me ‘CoViD -19’.
Ata njoftojnë se deri më tani, numri total i rasteve pozitive është 65.065 raste nga 274.160 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe deri më sot, janë shënuar gjithsej 1.553 raste të vdekjes. Për të kuptuar gjendjen momentale të personave të prekur me CoViD-19, Radio KFOR-i morri një prononcim nga infektologu në Klinikën Infektive, Prof. Dr. Shemsedin Dreshaj: “Situata aktuale me CoViD-19 në Kosovë, vazhdon të jetë situatë stabile me një numër konstant të rasteve të reja dhe me një numër të limituar të vdekjeve. Mendoj që edhe pas këtyre lehtësimeve të masave ndaj pandemisë popullata duhet të jetë shumë e matur, të respektojë masat parandaluese të rekomanduara nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë dhe të Institutit Kombëtarë të Shëndetësisë.”
Për t’u mbrojtur nga ‘CoViD -19’, si masë preventive edhe me tutje mbeten masat: mbulimi i gojës dhe hundës me maskë, respektimi i distancës si dhe mbajtja e higjienës.