Imazhi i trupit dhe vetëvlerësimi janë çështje të spikatura për të rinjtë, veçanërisht gjatë adoleshencës dhe pubertetit, por kohëve të fundit, kërkimet në këtë fushë kanë filluar të përqendrohen edhe tek njerëzit e moshuar. Megjithatë, ne e dimë se askush nuk ka nevojë për një trup perfekt për të pasur një imazh të mirë. Nëse ju pëlqeni trupin tuaj ashtu siç edhe e keni, pa dyshim që ju rrisni vlerësimin rreth imazhit të trupit tuaj.
Pikërisht për këtë temë, Radio KFOR-i kontaktoi disa dëgjues, duke i pyetur se a janë të kënaqur me imazhin e trupit të tyre dhe se a do të dëshironin të ndryshonin diçka në trupin e tyre?!: “Përshëndetje, unë jam Merita Maksuti. Unë për vete jo, nuk do të ndërhyja! E di që shumë njerëz nuk e pëlqejnë trupin e tyre, prandaj edhe ndërhyjnë me operacione të ndryshme si dhe bëjnë ushtrime të ndryshme për ta zbukuruar atë. Ne duhet të dimë se secili ka diçka të bukur, si: flokët, fytyrën, duart, këmbët, sytë apo edhe kanë një buzëqeshje të këndshme, prandaj unë mendoj se ne duhet të pranojmë trupin tonë ashtu siç e kemi dhe të ndjehemi mirë në te.”
Ndërsa, dëgjuesi tjetër kishte kë menim rreth vetëvlerësimit: “Jam Leonit Hasani, askush nuk është perfekt, por mendoj se ne duhet të kujdesemi për trupin tonë dhe të trajtojmë ashtu siç duhet, me pushim, me sport, ecje, vrapim, vallëzim, not e mbi të gjitha me ushqim të shëndetshëm.”
Duke u kujdesur për peshën, aktivitetet e duhura dhe marrjen e ushqimit të shëndetshëm, ne rrisim vetëvlerësimin ndaj imazhit të trupit tonë!