Kohët e fundit kemi parë zbulimet e reja teknologjike të fokusohen gjithnjë e më shumë në dy drejtime: mbrojtjen e ambientin dhe shëndetin e njeriut. Të tilla janë edhe inovacionet që janë prezantuar këtë javë nga gjigandët e teknologjisë:
– Gjigandi teknologjik “Xiaomi”, ka zbuluar konceptin e ri, të një telefoni të së ardhmes, që nuk ka asnjë port e madje i mungon edhe çdo lloj butoni. Për telefonin e se ardhmes është bërë e ditur gjithashtu se do të ketë një ekran me katër lakime dhe funksione të përparuara. Sa i përket rimbushjes së baterisë, telefoni mund të mbushet përmes ‘alternativave më elegante’ sipas Xiaomi.
– Kompania Google, ka prezantuar një softuer të ri që do të lejojë që puna e zemrës dhe frymëmarrjes të maten përmes lenteve të kamerës së telefonave inteligjentë, aplikacion ky i cili më pas gjurmon ndryshimet në ngjyrën e lëkurës për të matur rrjedhën e gjakut. Ky funksion në fillim do të jetë i mundshëm vetëm për Pixel, por që synimet e kompanisë janë që të shtohet edhe në telefonat e tjerë që përdorin sistemin operativ Android.
– Kompania Nike, ka ardhur me një model inovativ të atleteve. Modeli i quajtur “Nike GO FlyEase” ka marr vlerësime të mëdha për dizajnin e përshtatshëm për të gjithë njerëzit, pavarësisht nga aftësitë fizike të përdoruesit. Dizajni i këtyre atleteve lejon që këmba të futet lehtë brenda atletes, pa pasur nevojë për tu përkulur. Lehtësia e veshjes do të ishte tërheqëse për këdo, por janë ata persona me aftësi të kufizuar, që do të përfitojnë më shumë nga këpucët e reja. “Nike GO FlyEase” pritet të dalin në shitje nesër, me 15 shkurt, 2021.
– Duke synuar konkurrencë të fortë me Tesla dhe Volkswagen, zyrtarë të General Motors, bëjnë të ditur se do të investojnë 27 miliardë dollarë, në automjete elektrike dhe autonome, deri në vitin 2025. Gjiganti i automjeteve tha se do të ofrojë 30 modele elektrike, në nivel global, deri në vitin 2025. Prodhuesi më i madh i automjeteve në SHBA, planifikon t’i bëjë të gjitha operacionet e tij globale dhe automjetet pa karbon, deri në vitin 2040 dhe të shesë vetëm makina dhe kamionë me emetime zero të dioksidit të karbonit (CO2), deri në vitin 2035.