“Vendi më i mirë për tu mbështetur, janë krahët e njëri tjetrit”, është kjo njëra ndër thëniet e shumta që personifikon dashurinë dhe ne e zgjodhëm pikërisht këtë thënie, në ditën që simbolizon dashurinë, në ditën e “Shën Valentinit”, e cila festohet kudo në botë sot, më 14 shkurt.
Për të manifestuar dashurinë që kemi ndaj njërit tjetrit, lulet vazhdojnë të mbesin dhuratat më të këndshme dhe të përshtatshme, prandaj për këtë arsye Radio KFOR-i vizitoi një lulishte në Prishtinë, me ç‘rast bisedoi me znj. Nadire Berisha, e cila tregoi se interesimi për të blerë lule vazhdon të jetë i madh, sidomos në ditë si kjo dhe 8 Marsi: “Edhe ne, si të gjitha bizneset, jemi dëmtuar shumë gjatë pandemisë, edhe pse më vonë edhe ne nisëm të funksiononim online, gjë që na ndihmoi të rimëkëmbemi pak, por ne mezi i presim ditët e shënuara, si ditëlindjet, Shën Valentinin, 8 Marsi e kështu me radhë. Dhe tash, në këtë ditë, interesimi i të rinjve, sidomos për të blerë lule, është i madh dhe ne kemi gëzime të dyfishta, që edhe po mund ta ndihmojmë biznesin tonë por edhe kur i shohim njerëzit e dashuruar”, është shprehur znj. Berisha.
I lumtur, plot gaz dhe i dashuruar dukej i riu, Fidan Mejzini, të cilin e takuam duke blerë lule për të dashurën e tij. Pyetjes sonë për simbolikën e kësaj dite, ai nuk hezitoj t’i përgjigjej, duke thënë: “Nuk jam edhe aq romantik, nuk jam prej atyre që dinë të bëjnë shumë surpriza, por di të dashuroj, di ta shpreh dashurinë dhe sot erdha për të blerë lulet më të bukura për të dashurën time të bukur”, tha Fidani.
Jo vetëm në këtë ditë, për dashurinë duhet festuar çdo ditë dhe atë duhet kultivuar vazhdimisht. GËZUAR!