Pandemia e shkaktuar nga ‘CoViD-19’ në mbarë botën, ka ndikuar në të gjitha sferat e jetës, e me këtë rast është prekur edhe mënyra e shkollimit. Shkollat e ndryshme vazhdojnë mësimin duke ndjekur skenarë bazuar në infrastrukturën e objekteve shkollore dhe masave të ndryshme për të ju përgjigjur situatës pandemike.
Se cila është gjendja momentale e Shkollave në Prishtinë, për Radio KFOR-in tregoi, Liridona Preniqi, Zyrtare e lart e Arsimit të Mesëm të Ultë, në Drejtorinë e Arsimit në Komunën e Prishtinës: “Momentalisht në Komunën e Prishtinës janë pothuajse shumica e shkollave duke e ndjekur mësimin, me skenarin A, me përjashtim të shtatë Shkollave Fillore të Mesme të Ulëta dhe katër Shkolla të Mesme të Larta. Po ashtu edhe një Institucion Parashkollor është në skenarin C. Mësimi është duke u mbajtur normalisht, ku secila klasë punon me dy grupe, me grupin A dhe grupin B, pra sipas planifikimeve të parapara.”
Të gjitha shkollat në Kosovë janë të detyruara të respektojnë të gjitha masat nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHPK), duke matur temperaturën e secilit nxënës para se të hyjnë në shkollë dhe duke raportuar për të gjitha rastet që dyshojnë që janë pozitivë me ‘CoViD-19’.