“Qeni është miku më i mirë i njeriut”, por sa mik i mirë është njeriu për qenin?! Dashurinë që e ka pasur si fëmijë për qentë, Mentor Gashi, e ka kthyer në një vepër të pashoqe humanitare, kur në vitin 2014 krijoi organizatën “Prishtina Dog Shelter”, e cila ndodhet në Graqanicë dhe krejtësisht në baza vullnetare trajton qentë endacak, i shëron, madje edhe kur janë në gjendje të rëndë edhe i sterilizon, për t’i kthyer të shëndoshë më pas aty ku janë marr ose për t’i dhënë për adaptim. Krejt kjo vepër e madhe humanitare bëhet nga “Prishtina Dog Shelter”, i cili lirisht mund të përshkruhet edhe si një ambient multinetik me shqiptarë, serbë e komunitete të tjera. Se cila është procedura e marrjes, strehimit, shërimit e sterilizimit, themeluesi i organizatës “Prishtina Dog Shelter”, Mentor Gashi, për Radio KFOR-in tregon: “Me rregulla nuk bënë me e kalu numrin 45 qenë, brenda të njëjtës kohë, nëse dëshironi me i mbajt në mënyrë humane. Qentë i marrim nga rruga i strehojmë, nëse janë raste urgjente, p.sh. nëse është goditë nga makina, e marrim e strehojmë e shërojmë nëse e adaptojnë aq ma mirë, nëse jo e kthejmë ku e kemi marr. Por gjithmonë del nga qendra jonë i shëruar, i trajtuar dhe i sterilizuar.” “Prishtina Dog Shelter” është projekt personal, i ndërtuar në baza vullnetare, nga ekipi që përbëhet nga themeluesi Mentor Gashi dhe bashkëpunëtorët Slavisa Stojanovic dhe Bajram Jasharaj. Në këtë organizatë e cila deri më tani ka shëruar, trajtuar, sterilizuar si dhe ka mundësuar adaptimin e mbi 1000 qeve, nuk mungon as puna vullnetare nga Ryann Qavdrbasha, Anthony Stewart dhe Rona Spahiu. Siç tregoi z. Gashi, financimi i organizatës vjen kryesisht nga njerëzit dashamirë si dhe programet që ka organizata për adaptimin e qenëvë (kryesisht jashtë Kosovës) dhe programeve për trajtimin dhe kujdesin e tyre nga personat privatë.
“Nuk ka ndjenjë më të mirë se ka kur i gjen një qeni një shtëpi të mirë, pra kur dikush e adapton si dhe kur shërohet një qen i sëmurë i cili nuk ka mundur as të lëvizë fare, kjo shëron dhe kjo të plotëson si njeri”, tha z. Gashi dhe shtoi se Kosova ka nevojë që të ketë më shumë qendra të tilla për kujdesin e qeve.