Rritja e numrit të rasteve pozitive me ‘CoViD-19’, ka bërë që në Kosovë të rëndohet situata aktuale me pandeminë.
Udhëheqësi i Divizionit për Komunikim me Publikun në Ministrinë e Shëndetësisë, Faik Hoti, për Radio KFOR-in, ka thënë se situata me ‘CoViD-19’ në Kosovë, është jashtëzakonisht serioze: “Popullata duhet të manifestojë vendosmëri të madhe për t’i zbatuar masat e ndërmarra nga Qeveria, për të reduktuar në maksimum pasojat njerëzore, sociale e ekonomike nga virusi. Mbi të gjitha, duhet treguar përkushtim që përmes një sjelljeje serioze t’u lehtësohet puna mjekëve, infermierëve dhe teknikëve mjekësor, të cilët janë duke e përballuar me mund të madh fluksin në rritje të pacientëve, që po kërkojnë tretman mjekësor për shkak të infektimit me ‘CoViD-19’”.
Edhe njëherë Z. Hoti pësëriti se në mungesë të një vaksine kundër CoViD-it, respektimi i masave mbrojtëse është mënyra më e mirë për të parandaluar përhapjen e pandemisë: “Për aq kohë sa vaksina kundër ‘CoViD-19’ nuk është ende në përdorim, popullata duhet të zbatojë me disiplinë të veçantë masat, si: bartja e maskës, ruajtja e distancës dhe mbajtja e higjienës si mënyrë për të parandaluar përhapjen e infeksionit. Gjithashtu, të gjithë duhet të sakrifikojmë diçka nga përditshmëria jonë e zakonshme për t’i dhënë rast mbrojtjes nga virusi. Në këtë kohë, nuk mund të vendoset asnjë bilanc midis shëndetit dhe nevojave të tjera. Ruajtja e jetës së njerëzve është primare”.
Vetëm së bashku mund ta kalojmë këtë pandemi, andaj të vazhdojmë me respektimin e masave mbrojtëse!