Sot më 16 tetor, do të përmbyllet “Forumi për Politika Bujqësore 2020”, i cili ka filluar më 12 tetor. Përgjatë 5 ditëve, forumi i organizuar nga Grupi i Përhershëm i Punës për Zhvillimin Rural Rajonal (SWG) në Evropën Juglindore, pjesëmarrëse ishte edhe Kosova. Radio KFOR ka realizuar një intervistë me Menaxheren e Projektit në SWG, Dori Pavloska – Gjorgjieska, e cila na shpalosi detaje për studimin që janë duke bërë, për të parë ndikimet e pandemisë së ‘COVID-19’, në Bujqësi: “SWG i mbështetur nga FAO (Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë) aktualisht po kryen një studim mbi ndikimin e ‘COVID-19’, në bujqësi, ushqim dhe zona rurale. Rezultatet përfundimtare priten në Prill, të vitit 2021, por disa rezultate paraprake mund të ndahen tani. ‘COVID -19’kishte shumë ndikim në bujqësinë në Ballkanin Perëndimor. Farat dhe çmimet për mbjellje u rritën në fillim të pandemisë, për shkak të kërkesës së lartë si rezultat i frikës nga mungesat e ushqimit. Si rezultat i konsumit të reduktuar të karburantit, në të gjithë botën ka pasur një rënie të çmimeve të karburantit, gjë që uli ndjeshëm koston e prodhimit bujqësor. Rendimentet dhe sasitë e prodhuara u rritën falë kushteve të favorshme të motit, veçanërisht për drithërat. Qarkullimi me pakicë, mesatarisht, u ul dhe indeksi i çmimit të konsumit të ushqimit u rrit lehtë krahasuar me vitin e kaluar.”
Znj. Pavloska tregoi gjithashtu edhe për pritshmërinë që kanë në fundin e këtij forumi: “Duke marrë parasysh karakteristikat strukturore të bujqësisë në rajonin tonë të cilat rezultojnë në mungesë të konkurrencës së sektorit, zonat rurale duhet të përqendrohen në diversifikimin e aktiviteteve ekonomike në mënyrë që të arrijnë zhvillimin dhe sigurimin e jetesës për popullsinë e saj. Në këtë mënyrë, turizmi rural si një mënyrë e rëndësishme për diversifikimin e aktiviteteve ekonomike, mund të ketë efekte pozitive në rritjen e të ardhurave të popullsisë rurale dhe të mbështesë ruajtjen dhe përdorimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore të disponueshme.”