Edicioni i 8-të i festivalit tashmë tradicional ‘Green Fest’ edhe këtë vit do t’i argëtoj vizitorët e saj. Për dy net me radhë, me 17 dhe 18 Gusht, në Mitrovicë, nën moton “Imagjinatë pafund” do të performojnë artistë të shumtë nga Kosova dhe jo vetëm.
Radio KFOR-i kontaktoi menaxherin e Organizatës “7Arte”, Lulzim Hakaj, i cili tha se qëllimi i këtij organizimi është vetëdijësimi i qytetarëve për mbrojtjen e mjedisit, mirëpo ai gjithashtu na njoftoi edhe për programin e festivalit.
“Kemi dy net rresht me muzikë, ku do të performojnë grupe të ndryshme, artistë të ndryshëm të Kosovës por edhe jashtë Kosovës, si: Jericho, Genc Salihu, Visar Kuqi, grupi Na, Orges Toçe dhe grupi Tina që është nga Shqipëria, pastaj disa artistë të rinj, DJ Toton , DJ Matale, një tjetër artiste e mrekullueshme Linda Suhadolli, Blera etj. Ftojmë të gjithë dashamirët e muzikës që të vijnë dhe të na përcjellin.”
“Green Fest” do të mbahet pranë Liqenit Artificial në Mitrovicë, me datat 17 dhe18 Gusht, nga ora 20:30.