Artisti Yll Xhaferi, sonte do të hap ekspozitën personale ‘Scrolling’, në ‘Qendrën Informative dhe Kulturore të BE-së’, në Prishtinë nga ora 19:00.
Për ekspozitën në fjalë, artisti Xhaferi në një intervistë për Radio KFOR-in solli detaje rreth punës së tij:
“Për herë të parë po prezantohem me një cikël të punimeve të cilat janë ilustrime. Zakonisht në punën time dua të paraqesë tranzicionin nëpër të cilin ka kaluar shoqëria jonë dhe ndikimin e tërë këtyre ndryshimeve në jetën tonë si dhe interaksionin tonë me memoriet e përbashkëta”.
Artisti Xhaferi më tej shpjegoi se nevoja për të rrëfyer, për të ndarë dhe për të rikujtuar të kalurën dhe kujtimet kolektive të shoqërisë, duhet të vihen në pah, sepse të gjithë jemi të lidhur në një histori të përbashkët por edhe nga historitë personale, të cilat duhet të ndahen në mënyrë subjektive nga njerëzit.
Ekspozita do vij në formën e kartolinave, nga të cilat autori rikujton të kaluarën dhe ndërton të ardhmen në mënyrë kronologjike nëpërmes tyre. Ekspozita ‘Scrolling’, do të jetë e hapur për një muaj, në ‘Qendrën Informative dhe Kulturore të BE-së’.