Ish-objekti i Shtëpisë së Mallrave “Gërmia” në Prishtinë, do të jetë lokacioni i sallës koncertale, e cila planifikohet të ndërtohet në kryeqytet.
Këtë e ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili në një njoftim në rrjetin social “Facebook”, shkroi se gjatë shtatorit do të shpallen konkurset ndërkombëtare arkitektonike për tri projekte të mëdha e të rëndësishme për Prishtinën, të cilat janë: “Salla Koncertale e Kryeqytetit – adaptim duke ruajtur identitetin e ndërtesës ekzistuese Gërmia; Salla e re e Sporteve me kapacitet 3000 – 5000 ulëse; Shkolla e Muzikës – adaptimi dhe renovimi i pjesës kulturore të Pallatit të Rinisë, ku do të jetë e vendosur Shkolla e Muzikës “Prenk Jakova”.”
Në njoftimin për realizimin e këtyre projekteve u bëhet thirrje arkitektëve dhe studiove projektuese që t’i sjellin Prishtinës projekte me të cilat do të krenohen të gjithë.