Masat e izolimit të cilat janë ndërmarrë nga muaji mars 2020, me qëllim të parandalimit të përhapjes së pandemisë ‘Covid – 19’, ka bërë që gjashtëmujori i parë i vitit 2020 të regjistrojë më pak aksidente në Kosovë se e njëjta periudhë e vitit 2019. Bazuar në të dhënat që Zyra për Informim e Policisë së Kosovës i ka dërguar Radio KFOR-it, që nga janari e deri në qershor të vitit 2020, gjithsej janë regjistruar 5.593 aksidente, krahasuar me vitin 2019, ku numri total i aksidenteve kishte arritur në 6.520 aksidente.
Nga përvojat e viteve të kaluara, numri i aksidenteve gjatë muajve të verës është më i lartë, për shkak se edhe rrugët janë më të ngarkuara. Por, kjo nuk është arsyeja e vetme. Eksperti i komunikacionit, Ylli Koshi, për Radio KFOR-in përmendi disa nga shkaktarët më të shpeshtë që ndikojnë në rritjen e numrit të aksidenteve gjatë muajve të verës: “Numri i aksidenteve është i lidhur drejtpërdrejt me numrin e pjesëmarrësve në trafik. Sa më shumë që ka lëvizje, atëherë edhe numri i aksidenteve rritet. Siç dihet gjatë muajve të verës shtohet numri i pjesëmarrësve në trafik, si të diasporës që vinë, por edhe persona që marrin pushime vjetore dhe janë më shumë në lëvizje. Kur flasim për shkaqet, janë disa aspekte që duhet trajtuar, si: moti i ngrohtë, nxehtësia e cila sjell te aftësitë psikofizike të dobësuara të shoferëve, të cilët mund të ndjejnë humbje të kontrollit, reagimit dhe përqendrimit. Pastaj është ndryshimi i temperaturës së brendshme të automjetit dhe temperaturës që është jashtë, gjë që ndikon në dobësim të gjendjes psikofizike të shoferëve po ashtu. Gjatë verës, më shpesh neglizhohet përqendrimi në komunikacion për shkak të ahengjeve, pushimeve verore dhe ngasjeve për tu argëtuar. Shpeshtohen rastet e aksidenteve kur vozitësit janë nën ndikim të alkoolit apo pagjumësisë. Po ashtu, gjatë verës ka më shumë punime në rrugë, gjë që ndikon në nervozizmin më të madh të vozitësve, të cilët e humbin durimin”.