Me t’u shfaqur rastet e para me ‘Covid – 19’ në Kosovë, një nga iniciativat më të shpeshta ka qenë dizajni dhe punimi i maskave të ndryshme, me qëllim të furnizimit me to, të gjithë qytetarët në Kosovë, nga të gjitha komunitetet. Në rrjete sociale kemi parë dizajne të ndryshme të maskave, të cilat janë pëlqyer mjaft shumë nga të tjerët. Dizajne tejet të veçanta të maskave, të dominuara nga lulet shumëngjyrëshe ka sjellë Artistja, Njomëza Luci, e cila për Radio KFOR-in tregoi se si i erdhi ideja për to: “Gjatë periudhës së izolimit, e kuptova që ka me qenë një vit shumë i vështirë për natyrën e punës tem, po si çdo herë as tash nuk u ndala me krijimtari edhe pse nuk kisha as një porosi prej klientëve. Për me i jap vetes vullnet, vendosa me paramendu që i kom 1.000.000 € në xhirollogari edhe me shetit nuk jom e interesume, po krejt çka po du osht që çdo ditë me kriju diçka, që për mu osht e bukur. Një ditë prej ditësh, vendosa me kriju ni maskë që m’bon mu ndi si lule. Vendosa me i postu disa modele në rrjetet sociale edhe meniherë pata shumë kërkesa, sa që u bllokova.”
Me dizajnimin dhe prodhimin e maskave gjatë periudhës së pandemisë është marrë edhe Shoqata e Grave “Shtëpia Jonë” nga Novobërda, të cilat me mbështetjen e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, në kuadër të projektit një mujor “Ne bashkojmë, ne mbrojmë”, kanë krijuar 18 mijë maska të pambukta shumë-përdorimëshe: “Ato maska janë bërë me material të pambukut, andaj mund të pastrohen dhe të përdoren disa herë. Ne kemi provuar të gjejmë material me ngjyra që shfaqin më shumë lumturi. I kemi bërë këto maska me ngjyrë vjollcë, të kaltër, portokalltë, ngjyrë rozë dhe të bardhë. Dizajne të ndryshme, ngjyra të ndryshme, mund të ndikojnë që të gjithë të pranojmë më lehtë bartjen e maskave”, kështu tha për Radio KFOR-in, Vesna Stajic, nga kjo Shoqatë.
Që nga data 13 korrik, me vendim të Qeverisë së Kosovës, bartja e maskës është bërë obliguese.