Ekipi Ushtarak dhe Civil i KFOR-it (CIMIC) në bashkëpunim me kontingjentin Italian, me seli në Shtabin e Përgjithshëm të KFOR-it, dje (06.08) ka dhuruar një donacion në shoqatën e grave ‘Jeta’, në Komunën e Deçanit. Shoqata në fjalë ka përfituar pajisje rrobaqepësie për të ndihmuar anëtaret e kësaj shoqatë të aftësohen për të qepur dhe për të ndihmuar në mirëqenien e përgjithshme të grave anëtare të kësaj shoqate.
Gjatë dorëzimit të këtij donacioni, i pranishëm ishte edhe Asistenti i Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të KFOR-it, koloneli, Jonny Borjesson, i cili për Radio KFOR-in tha se ky projekt do të ndihmojë në integrimin ndëretnik të komuniteteve në Kosovë dhe shtoi: “Ky projekt është bërë për të mbështetur komunën e Deçanit dhe gratë e kësaj komune, në mënyrë që atyre të ju mundësohet mësimi i qepjes me pajisjet që i kemi dhuruar dhe besoj që ky projekt do të jetë i mirë për integrimin ndëretnik dhe të bashkojë njerëzit nga pjesë të ndryshme të regjionit.”
Edhe Komandanti Regjional Perëndim, nga kontingjenti Italian në kuadër të KFOR-it, Gianluca Figus, u shpreh i lumtur për finalizimin e këtij projekti në ndihmë të grave për të përmirësuar kushtet e tyre: “KFOR-i sot mbështet institucionet e Kosovës dhe unë jam shumë i lumtur që sot ne i ndihmojmë gratë e Kosovës me këtë projekt. Përmes këtij projekti gratë mund të përmirësojnë kushtet e tyre të jetës dhe gjëja më e rëndësishme është që përparimi i Kosovës është në duart e grave.”
Falënderuese dhe entuziaste për këtë donacion ishte edhe udhëheqësja e shoqatës ‘Jeta’, në Deçan, Safete Gacaferi, e cila tregoi për pajisjet që përfituan si pjesë e këtij projekti duke falënderuar KFOR-in për bashkëpunimin dhe ndihmën e tyre të vazhdueshme: “Sot kemi pranuar pesë makina qepëse elektronike dhe industriale dhe dy pajisje për hekurosje dhe të gjitha pajisjet tjera që kemi kërkuar, KFOR-i na i ka sjellë sot në shoqatën tonë për gratë e komunës së Deçanit. Jam shumë falënderuese ndaj KFOR-it, sepse është dashur një projekt i tillë që të aftësojmë gratë në fushën e rrobaqepësisë, duke parë që kemi shumë gra të komuniteteve të ndryshme, duke përfshirë edhe serbe të cila kanë nevojë të aftësohen për këtë profesion. Bashkëpunimi me KFOR-in nuk na ka munguar asnjëherë prej vitit 2005 e gjer më tani.”
Znj. Safete po ashtu tregoi për punën e parë që do të bëjnë me këto pajisje të reja që kanë përfituar dhe ajo kishte një mesazh miqësor për të gjithë njerëzit në Kosovë posaçërisht për gratë: “Punën e parë që do të bëjmë me pajisjet e dhuruara duke marrë parasysh gjendjen e pandemisë në të cilën ndodhemi, do të punojmë maska mbrojtëse dhe do t’i shpërndajmë falas për qytetarët tanë. Mesazhi im është që të gjitha femrat të bashkohen, të kemi një zë e një qëllim, për një të ardhme më të mirë të vendit tonë. Organizata jonë është në të mirën e të gjitha grave, pavarësisht dallimeve etnike, të komunitetit serb, rom, ashkali, egjiptian, pra të gjitha të punojmë së bashku për të mirën e vendit.”
E pranishme në këtë pranim-dorëzim të donacionit ishte edhe anëtarja nga komuniteti serb në këtë shoqatë Vesna Spalevic, e cila merret edhe me çështje të të drejtave të grave, edukimin e tyre, organizimin e kurseve dhe trajnimeve të ndryshme. Ajo punon në komunën e Deçanit në Zyrën për Komunitete dhe është anëtare e Komitetit të Sigurisë për Komunitete dhe për Radio KFOR-in tregoi përvojën e saj në këtë shoqatë: “Kemi shkëmbime të shumta të përvojave, aktivitete të përbashkëta me të cilat veprojmë në shoqatën ‘Jeta’. Në komunën e Deçanit ka rreth 800 pjesëtarë të komuniteteve pakicë dhe ata janë kryesisht familje me të ardhura të ulëta. Maskat që do të prodhohen nga kjo shoqatë do të ndihmojnë familjet në nevojë.”