Organizata joqeveritare ‘Germin’, sot (19.05.20), duke filluar nga ora 17:00, do të organizojë ligjëratën e radhës virtuale në kuadër të projektit ‘Diaspora ED’, e cila këtë herë do të mbahet nga ligjëruesja, Iliria Aliaj.
OJQ ‘Germin’, me anë të një njoftimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka bërë të ditur se ky projekt ka për qëllim që t’ju mundësojë nxënësve të shkollave të mesme në Kosovë, që të përcjellin ligjëratat nga profesionistë shqiptarë nga diaspora. “Këta profesionistë gjatë ligjëratave do të zhvillojnë një formë të komunikimit interaktiv me nxënësit, duke shpalosur përvojat e tyre më të mira që të ndihmojnë nxënësit në aspekte të ndryshme si: orientim në karrierë dhe zhvillim të aftësive të buta”, thuhet tutje në këtë njoftim.
Disa nga tematikat e ligjëratës së sotme do të fokusohen në rëndësinë e shkëmbimit rinor ndërkombëtar, aftësitë që fitohen nga këto shkëmbime si dhe mundësitë për shkëmbime ndërkombëtare që ekzistojnë për nxënësit dhe rininë në Kosovë. Të interesuarit për pjesëmarrje në këtë ligjëratë duhet të regjistrohen në linkun: https://forms.gle/xVDtkya8Lv8o4cSL6