Aktivitetet kulturore po vazhdojnë në qytetin e Podujevës në kuadër të nismës “Ora e Filmit”. Këtë të shtune, në teatrin e qytetit “Avdush Hasani”, do të shfaqet një film me një temë shumë të ndjeshme e gjithashtu me një mesazh të rëndësishëm për shoqërinë tonë. Bëhet fjalë për filmin “Bastards”, që trajton fatin e fëmijëve të lindur jashtë institucionit të martesës dhe përparësitë sociale të cilat iu mohohen atyre. Ky film është i pari që e tregon historinë e këtyre fëmijëve nga këndvështrimi i nënave beqare, sepse në këto shoqëri janë gratë ato që mbajnë peshën e mosmiratimit të shoqërisë.
Filmi do të shfaqet të nesër (22.02.20) nga ora 17:00, kurse pas shfaqjes së filmit organizatorët do të dhurojnë disa libra falas e gjithashtu do të mbajnë edhe një diskutim në lidhje me temën e këtij filmi.
Realizimi i këtij aktiviteti është bërë i mundur me mbështetjen e “Sbunker”, përmes projektit të financuar nga Ambasada Amerikane.