Mbrojtja e ambienti është qenësore për shëndet të mirë dhe qytetari aktive. Për të ndihmuar në këtë aspekt ‘Shkolla e Edukimit Qytetar’, në kuadër të Projektit “Ndërtimi i një Komuniteti të Qëndrueshëm në Mitrovicë”, nesër (24 tetor) do të organizojë një aksion pastrimi në Mitrovicë. Nxënësit e kësaj shkolle po ashtu kanë organizuar një ekspozitë, që ndihmon në ngritjen e vetëdijes qytetare për mbrojtjen e mjedisit. Ata përgjatë javës kanë mbledhur mbeturina te riciklueshme dhe me këto mbeturina kanë krijuar forma të ndryshme artistike, të cilat do të ekspozohen në qendër të qytetit të Mitrovicës.
Radio KFOR-i kontaktoi me Drejtoreshën Ekzekutive të organizatës ‘Community Building Mitrovica’, Aferdita Sylaj Shehu, e cila tregoi më shumë për këtë aktivitet:
“Përmes këtij eventi ‘Shkolla e Edukimit Qytetar’, i fton të gjithë qytetarët që të bëhen pjesë e këtij projekti, duke dhuruar materiale të ricikloheshme, ku në këmbim të tyre do të marrin si shpërblim një frut, ose ndonjë punim të krijuar nga nxënësit. Me anë të kësaj ne synojmë që të ripërdorim plastikën e hedhur duke i vetëdijesuar qytetarët, njëkohësisht edhe duke iu treguar forma të ndryshme të riciklimit të mbeturinave”.
Organizata në fjalë ka ndërmarrë aktivitete të shumta me të rinjtë e Mitrovicës, duke përfshirë komunitetin shqiptar dhe serb, në ngjarje të përbashkëta.