Organizata jo-qeveritare ‘Play International Kosova’, këtë të shtunë (26 tetor), nga ora 07:00, në Sheshin “Zahir Pajaziti”, në Prishtinë, do të shënojë 20-të vjetorin e themelimit të organizatës. Përgjatë rrugëtimit, kjo organizatë ka ndërmarrë aktivitete të shumta sportive, duke bërë bashkë komunitete të ndryshme në Kosovë, duke kontribuar në promovimin e tolerancës, bashkëjetesës dhe harmonisë ndëretnike.
Për nder të këtyre viteve veprim në Kosovë, organizata ‘PLAY International Kosova’ ka organizuar 20 orë aktivitete sportive të vazhdueshme në Prishtinë, duke përfshirë edhe një lojë basketbollistike të hapur, për të gjithë të rinjtë në vend.
Për të mësuar më shumë për këtë ngjarje, Radio KFOR-i kontaktoi menaxherin e projekteve në organizatën ‘Play International’, Alex Lord i cili shpalosi detaje mbi qëllimin e aktiviteteve të kësaj dite:
“Qëllimi i këtyre aktiviteteve sportive është t’i bashkojë të gjitha komunitetet e Kosovës, në aktivitetet gjithëpërfshirëse sportive që promovojnë një shoqëri multi-etnike, dhe të shfaqin stilin unik të aktiviteteve gjithëpërfshirëse që ‘PLAY International’ ka realizuar për 20 vitet e fundit”.
Ngjarja e theksuar, është falas për të gjithë qytetarët e Kosovës, të cilët do të mund të luajnë, si dhe njëkohësisht ta festojnë 20-të vjetorin e organizatës ‘Play International’.